Pelé dhe 80 vitet e një miti që nuk venitet kurrë

Shpërndaje

Është shumë e vështirë t’u bësh homazh personave të jashtëzakonshëm, sepse nuk di nga t’ia fillosh. Një fjali e thënë nga shkrimtari zviceran, Joel Dicker, dhe që i shkon përshtat në mënyrë perfektë një miti si Pelé. Ta fillosh nga golat e shënuar? Ta fillosh nga trofetë e fituar? Ta fillosh nga legjendat përreth tij? Le ta fillojmë nga data 23 tetor 1940, sot ai mbush 80 vjeç. I tregon pak, por jo dhe aq shumë.

Pelé dhe futbolli

Një binom i pandashëm. Ai dinte të bënte gjithçka. I përdorte këmbët siç Xhimi Hendriks përdorte kitarën, si Aladini përdorte llambën. Të majtën dhe të djathtën, pa asnjë diferencë. Goditje dënimi dhe penallti, pa asnjë emocion. Gola me sasi industriale, asiste si shiu dhe gjithmonë spektakël. Dhe pastaj goditja me kokë, specialiteti i tij, që për një objekt prej 173 centimetrash konsiderohet një tabu, por që në këtë rast u transformua në një legjendë.

Të gjithë e kanë në memorie kërcimin e tij në finalen e Botërorit 1970 kundër Italisë. Vërtet impresionues, si një helikopter, ndaloi atje lart sikur të ishte mbi shkallë, por që në fakt nuk ishin. Gazetari Sergio Serra Filho ka thënë se karakteristikat e Pelèsë janë të veçanta dhe se “O Rei” (mbreti) është sinteza e gjenive më të mëdhenj të futbollit.

Rivaliteti me Maradonën

Pelé ka qenë lojtari më i madh i historisë së futbollit. Po, jo, pjo. Ndoshta. Për brazilianët ka qenë, për argjentinasit natyrisht jo. Ka qenë Maradona mes mitit absolut dhe hyjnores. Pelé apo Maradona, Maradona apo Pelé? Kanë 20 vjet e pak ditë diferencë, një gjeneratë e tërë. Kohë të ndryshme, mënyra të ndryshme për ta interpretuar futbollin.

Mes brazilianëve dhe argjentinasve është e gjithë bota që thotë të vetën, por nuk do t’i shkojë kurrë deri në fund. Pelé, nga pikëpamja e spektaklit të pastër është sigurisht numri 1 i historisë. Santosi, klubi i tij, për t’i dhënë një rrogë të mirë dhe për ta mbajtur larg klubeve të pasur të Europës, bënte turne të ndryshëm ekzibicioni në gjithë botën.

Për të parë 45 minuta Pelénë në stadium paguheshin shifra astronomike dhe Santosi arkëtonte pa fund, edhe pse detyrohej të luante edhe dy miqësore në të njëjtën ditë. Maradona ekzibicionet i bënte vetëm për qëllim bamirësie dhe në një rast e çoi skuadrën të luante në një fushë të akullt në Acerra, me aneksin e nxemjes në mes të një parkingu, për të ndihmuar një fëmijë që kishte nevojë. Pastaj gjithçka është kompeticion i pastër, duke rrezikuar gjunjë dhe kavilje, gjithmonë me synimin vetëm për fitore. Maradona ka fituar vetëm një Botëror, por e ka fituar i vetëm.

Pelé ka fituar tre dhe në dy prej tyre ishte protagonist absolut, kurse në 1970-ën bënte pjesë në skuadrën më të fortë të të gjitha kohërave. Pelé apo Maradona, Maradona apo Pelé, ata janë të parët, të tjerët, Di Stefano, Krojf, Euzebio, Ronaldo fenomeni, si dhe ata të kohëve të sotme, Mesi dhe Kristiano Ronaldo, vetëm i nderojnë.

Pelé dhe Maradona janë futbolli, secili sipas mënyrës së vet. Interesant është fakti se për një periudhë të shkurtër të dy kanë qenë në aktivitet njëkohësisht si futbollistë profesionistë. Në vitin 1977, Pelé po mblidhte dollarët e fundit te Nju Jork Kosmos, kurse Dieguito sapo kishte nisur të magjepste me fanellën e Argentinos Zhuniors.

Si Jezui

Gjendemi në Très Coraçoes, një qytezë me 80 mijë banorë (80 vite më parë kishte gjysmën), në jug të shtetit të Minas Gerais, 287 kilometra larg kryeqytetit Belo Horizonte. Très Coraçoes (themeluar në vitin 1832) do të thotë “Tre zemrat” dhe etimologjia e këtij emri është kontroverse. Hipoteza më e mundshme është se vjen nga kishëza e ndërtuar për shenjtorët e Jezuit, Xhuzepe dhe Maria. E dhimbshme dhe romantike historia e tri vajzave, Jusara, Jacira dhe Moema, që pasi u dashuruan me tre djem të ardhur nga Goiàs, mbetën vetëm dhe me zemër të thyer kur ata i braktisën.

Ka edhe një shpjegim hidrografik: Rio Verde, lumi pranë qytetit formon tre kthesa që ngjajnë me zemrat. Për të evituar diskutimet etimiologjike, Très Coraçoes sot është thjesht “Terra do Rei do Futebol”, toka e mbretit të futbollit, falë babait Dondinjo, një futbollist gjysmëprofesionist dhe nënës Çeleste. Më 23 tetor 1940, kur në Eruropë po shpërthente Lufta e Dytë Botërore, aty lindte Edson Arantes do Nashimento, mbreti i ardhshëm i futbollit.

Ai tren për në San Paolo

Një vend: Baurù. Një emër: Valdemar de Brito. Shenjat e fatit. Baurù (sot me 400000 banorë) është një qytet i shtetit të San Paolos, ku familja Arantes do Nashimento u transferua kur Edson (që nuk ishte ende Pelé) ishte ende fëmijë dhe babai Dondinjo shkoi të luante me Baurù Atletiko Klub. Valdemar de Brito ndërkohë ishte një sulmues i madh me fanellat e San Paolos, Botafogos, Flamengos, Fluminenses, Portuguesas dhe Palmeirasit, përveç San Lorencos në Argjentinë, 18 gola në 18 ndeshje me Brazilin. Në 1954-ën ishte trajneri i të rinjve të Baurù Atletiko, ku kishte në dispozicion një djalë me emrin Diko, i cili u bë i përkëdheluri i tij.

Diko ishte emri me të cilin thirrej Edson Arantes do Nashimento. Valdemar de Brito e kuptoi shpejt sa i fortë ishte ai djalosh dhe në fillim të 1956-ës i tha: “Vishu mirë, nesër do të shkojmë te Santosi”. Një udhëtim i pafund, më shumë se 450 kilometra me një tren me qymyr, por në fund të atij rrugëtimi ishte lavdia. Edson-Diko u mor menjëherë nga Santosi dhe u bashkua me djemtë e tjerë.

Më 7 shtator 1956, pa mbushur 16 vjeç, debutoi mes profesionistëve në një turne në Santo Andrè, kundër Korinthiansit, por jo atij të famshmit. Debutim me gol për djaloshin që në atë kohë u pagëzua me emrin “Gasolina” (benzina), për shkak të energjisë së pashtershme.

Çfarë pseudonimi i çuditshëm

Por, për gjithë historinë e njerëzimit, Pelé do të ishte Pelé. Një pseudonim që të zotit i është bërë i bezdisshëm. E dëgjon për më shumë se 70 vjet dhe është mësuar, por ka lindur nga bullizmi. Edsoni kishte pak vështirësi në të folur.

Dondinjo kishte një kundërshtar, ndaj të cilit e kishte të vështirë të shënonte, ishte portieri Bilè. Edsoni fliste me shokët dhe në vend të Bilè thoshte Pilè. Dhe shokët e thërrisnin Pilè për ta nxehur dhe për ta tallur. Pastaj Pilè u bën Pelé dhe fshiu Dikon. Pelé nuk do të thotë asgjë, asgjë fare.

Tre tituj botërorë

Silvio Pirilo ishte trajneri i kombëtares braziliane në vitin 1957. Internet në atë kohë nuk kishte, as ideja e informacionit global në kohë reale nuk ekzistonte. Por Pirilo kishte mësuar se te Santosi po rritej një fenomen dhe i besoi më 7 korrik 1957, pa mbushur 17 vjeç, ndaj Argjentinës. Pelè nuk mundi ta shmangte humbjen, por shënoi golin e parë me fanellën e Brazilit.

Në pak kohë u bë titullar në kombëtare. Visente Feola, pasuesi i Pirilos te Seleçao, e grumbulloi në Botërorin e Suedisë. Ishte më i riu që merrte pjesë në fazën finale të kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit. Dhe bota iu përul shumë shpejt: gol vendimtar kundër Uellsit, tripletë kundër Francës, dopietë në finale kundër të zotëve të shtëpisë.

Më 29 qershor 1958, data e finales, Pelé ishte 17 vjeç e 249 ditë, më i riu që luante në një finale. Një rekord që nuk është thyer ende sot. Dha më pak në Botërorin e dytë, atë të 1962-ës në Kili, një asist për Zagallon në ndeshjen hapëse dhe pastaj një dëmtim serioz në ndeshjen e dytë kundër Çekosllovakisë. Botërori u fitua nga Brazili, me magjitë e Garrinçës dhe Amarildos.

Pastaj simfonia e mrekullueshme e 1970-ës: gol kundër Çekosllovakisë, dopietë kundër Rumanisë, asiste në ndeshjet e tjera dhe në fund goli në finale kundër Italisë, ai gol i çmendur me kokë i shënuar pas kërcimit mbi kokën Tarçizio Burgniç. Janë 77 golat e shënuar në 92 ndeshje me Brazilin.

Disa numra

Sa gola ka shënuar ekzaktësisht Pelé, nuk është saktësuar. Nga 1957-a në 19770-ën nuk ekzistonin certifikatat që sot bëjnë të mundur azhornimin e karrierës dhe kurrikulumeve. Sipas statistikave gjysmë zyrtare nga FIFA, ai ka shënuar 1281 gola, por të paktën 500 i ka shënuar në miqësore, jo në ndeshje zyrtare.

Ka të dhëna se janë 757 golat zyrtarë, por futbolli është art dhe dashuri, nuk është aritmetikë. Dhe është bukur të mendosh për golin numër 1000 të shënuar në “Maracanà” me penallti, me të famshmen “paradinja”, mënyrën e ndalesës që ai bënte gjatë vrapimit për një fraksion sekonde, duke mashtruar portierin.

Ishte 19 nëntor 1969 dhe nga ajo ditë miti i 1000 golave do ta shoqëronte përgjithmonë. Si profesionist, Pelè ka luajtur vetëm me dy fanella, me ato të Santosit dhe Nju Jork Kosmos. Në vitet ’60, avokati Agjeli dhe Anxhelo Morati tentuan ta merrnin në Itali, duke i vënë përpara çek të bardhë, por një dekret i qeverisë braziliane ndaloi largimin e atij që në atë kohë ishte e mira më e çmuar e territorit kombëtar, të Pelèsë.

Perëndimi amerikan

Ka luajtur gjithmonë për pasion , por paratë në jetë i duan të gjithë, kështu që 35 vjeç Pelè pranoi ofertën e Nju Jork Kosmos. Ishte dallga e parë e futbollit në Amerikë, që po kërkonte hapësirë mes basketbollit, bejsbollit dhe hokejit në akull. NASL-ja (North American Soçer League) kishte rregulla të personalizuara, Pelè e pasuroi llogarinë e tij bankare për tre sezone dhe çoi Kosmosin, – që ishte një lloj “Dream Team” e formuar nga kampionë të ndryshëm në perëndim të karrierës, – te titulli kampion në vitin 1977. Pak më vonë ai i dha lamtumirën futbollit me ndeshjen miqsore Kosmos-Santos në “Giants Stadium” të Nju Jorkut, para 75000 spektatorëve.

Ligji Pelé

Çfarë ka bërë Pelé, nuk është e lehtë ta shpjegosh. Substancialisht, ai ka shfrytëzuar faktin e të qenit Pelé. Ka interpretuar te “Arrati për fitoren” bashkë me Silvester Stalone dhe në filma të tjerë, mes të cilëve 5 për jetën e tij. Ka edhe një lidhje me politikën. Më 1 janar 1995 u zgjodh ministër për sportin in Brazil. Ai çoi përpara projektin e ashtuquajtur “ligji Pelé” për reformën e profesionalizmit në vend. Një ligj i modifikuar pjesërisht më pas dhe i miratuar me emrin “ligji Ziko”. Në prill të 1998-ës Pelé dha dorëheqjen nga detyra dhe mbylli karrierën e tij politike. Nga ky moment ka bërë një jetë të qetë dhe ka punuar me imazhin e tij për kompani të mëdha ndërkombëtare.

Martesa dhe falimente

Dy herë në jetë Pelé ka marrë telefonatën që askush në jetë nuk do donte ta merrte, atë nga banka: “Mirëdita! Ju njoftojmë se llogaria juaj është krejtësisht bosh!”. Në të dy rastet Pelé ua kishte besuar pasurinë e tij miqve që dukeshin besnikë, por që kanë pritur momentin për t’i rrëmbyer gjithçka. Dy herë e kanë lënë me zero dhe dy herë e ka nisur nga fillimi. Jeta e legjendës braziliane në këto 80 vjet është karakterizuar nga paratë, Zoti (është besimtar katolik) dhe femrat. Ka pasur disa dhe të gjitha bionde.

Me tre prej tyre është martuar. Me të parën, Rosemeri dos Reis Cholbi, ka 3 fëmijë: Edson (portier te Santosi) dhe dy vajzat Keli Kristina dhe Xhenifer. Martesa me Rosemeri zgjati nga 1966-a në 1978-ën. Pas 15 vitesh si shpirt i lirë, në 1994-ën erdhi martesa e dytë me këngëtaren Asiria Nashimento, me dy fëmijë të tjerë: Xhoshua dhe Çeleste. Pas ndarjes me Asirian në 2008-ën, Pelè nisi në 2010-ën lidhjen me Marcia Aoki, sipërmarrëse me origjinë japoneze, 33 vjet më e re se ai. U martua me të në 2016-ën, në moshën 75-vjeçare.

Një mit i pavdekshëm

Kanë kaluar 43 vjet nga shfaqja e fundit zyrtare e Pelé në një fushë futbolli. Një jetë. Pak njerëz sot mund të tregojnë se e kanë parë të luajë. Na mbeten pjesë ndeshjesh të ruajtura në videoteka, na mbeten kujtimet e atyre që e kanë pasur përballë, që e kanë markuar dhe atyre që kanë pasur fatin e keq ta takojnë me një fanellë portieri veshur. Janë imazhe që pavarësisht cilësisë së ulët, na dhurojnë idenë e një fenomeni absolut, të një qenieje njerëzore që me një top mund të bënte gjithçka.

Nuk do të kemi kurrë një përgjigje për pyetjen: a ka qenë ai më i madhi i të gjitha kohërave? Por mund të jemi të sigurt se miti i tij nuk mund të venitet kurrë. Dhe ditën e 80-vjetorit të tij meriton urime nga e gjithë bota.(SI)

Burimi: https://www.gazetatema.net/


Shpërndaje

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *