Nga lufta në Serie A, Ismajli rrëfen ëndrrën e realizuar: Ja pse zgjodha Shqipërinë para Kosovës

Shpërndaje

“Me këmbëngulje dhe punë të palodhshme, gjithmonë do të arrish kënaqësinë e madhe”. Kjo është motoja jetësore e Ardian Ismajlit, murit mbrojtës të Spezia, që me durim dhe sakrificë ka fituar hapësirë ​​në formacionin e skuadrës së Serie A në këtë vit 2021. Konsistenca e performancës me shfaqje bindëse ka bërë që Ismajli, gjithashtu të luajë titullar në kombëtaren e Shqipërisë, i stërvitur nga eksperti teknik italian Edy Reja. Deri më tani, mbrojtësi shqiptar nga Kosova ka bërë 11 paraqitje sezonale me fanellën e bardhë, 9 prej të cilave në vitin 2021. Së bashku me Estevez dhe Leo Sena, kosovari është një nga “bastet” e huaja të drejtorit sportiv Meluso. Për mediat italiane, Simajli dha këtë intervistë:

Si lindi mundësia për të ardhur te Spezia gjatë verës së kaluar?
Unë kam qenë duke luajtur për shumë sezone te Hajduk Spliti në Kroaci dhe, pas një viti veçanërisht pozitiv, tërhoqa vëmendjen e disa klubeve në ligat kryesore europiane. Kam marrë disa oferta, por projekti që Spezia ka për të ardhmen dhe kushtet që m’u paraqitën më bindën më shumë sesa perspektivat e tjera. Me veten jam i bindur se kam zgjedhur më të mirën për rritjen time.

Kur lindi pasioni juaj për futbollin? Dhe cilat janë interesat e tua të tjera në kohën e lirë?
Topi ka qenë pasioni im që kur isha fëmijë, më ka shoqëruar në të gjitha fazat e jetës. E kam filluar si fëmijë te 2 Korriku, shkolla më e mirë e futbollit në Prishtinë. Dashurinë për futbollin e kam trashëguar nga babai im, i cili ka luajtur i ri dhe mbeti një tifoz i madh i këtij sporti. Lojtari im i referencës ka qenë gjithmonë Sergio Ramos i Real Madridit. Ëndrra ime si fëmijë ishte të luaja në pesë ligat më të mira në Europë, veçanërisht në Serie A, të cilën e ndiqja në TV dhe nga gazetat me shumë interes. Ta realizoja këtë ëndërr, duke luajtur me Spezia, ishte me të vërtetë diçka e madhe. Pas disa muajsh ambientim mund të them se jam vërtet i lumtur. Në kohën time të lirë më pëlqen shumë të lexoj, por edhe të shikoj filma dhe dokumentarë në televizion.

Në vitin 2017, pas paraqitjeve me Kosovën U-21, ju debutuat me kombëtaren e madhe në një miqësore kundër Shqipërisë. Prej atëherë, nga viti 2018 e deri më sot keni zgjedhur të vishni fanellën e kombëtares shqiptare. Pse kjo zgjedhje?
Të luash për ekipin kombëtar shqiptar është një ëndërr e madhe, sepse kjo kombëtare përfaqëson të gjithë shqiptarët, të cilët u ndanë pas përfundimit të luftës në 6 vende të ish-Jugosllavisë, të tjerë jetojnë në pjesë të tjera të botës, ndërsa ekipi kombëtar i Kosovës përfaqëson vetëm Kosovën. Të luash për ekipin kombëtar shqiptar është një privilegj, por unë ende e ndjek me shumë dashuri edhe Kosovën, ku kam lindur dhe jam rritur në futboll.

Si fëmijë keni jetuar një periudhë veçanërisht të vështirë, siç është ajo e luftës në Kosovë. Sa kanë ndikuar ato kujtime në rritjen dhe personalitetin tuaj?
Gjatë luftës në Kosovë isha i vogël, por ende mbaj mend praninë e ushtrisë, policisë dhe paraushtarakëve në Kosovë. Ato ishin vite të tmerrshme dhe unë jetova me muaj me frikën se diçka e keqe mund t’i ndodhte familjes. Kjo dhunë dhe frika ka kontribuar që të bëhem më i fortë në karakter dhe të kem një personalitet para kohe, me pak fjalë jam rritur më shpejt. Ne kemi përjetuar skena të tmerrshme në lëkurën tone, që nuk dëshiroj që askush t’i provojë.

Keni qenë protagonist kohët e fundit me fanellën e kombëtares shqiptare në ndeshjet kualifikuese të javës së kaluar. A keni miq mes kolegëve, që luajnë në ligën italiane?
Sigurisht që po. Në ekipin kombëtar ne jemi një grup i mirë, shumë i bashkuar. Disa luajmë në Itali. Lëvizja shqiptare e futbollit në dhjetë vitet e fundit është rritur me të vërtetë shumë dhe ne kemi mjaft lojtarë të mirë. Ata me të cilët jam i lidhur më shumë, sepse luajnë në skuadrat italiane, janë Berisha te Spal, Hysaj te Napoli, Kumbulla te Roma dhe Djimsiti tek Atalanta.

Burimi: lanazione


Shpërndaje

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Translate »