Cungu në grumbullimin e U19: Pandemia ndikon për të ndërtuar një kombëtare solide

Shpërndaje


Shqipëria U19 e drejtuar nga trajneri Armando Cungu, ka pasur ditën e djeshme një seleksionim njëditor. Tekniku ka pasur mundësinë të shohë nga afër talentet dhe për të krijuar një ide, edhe pse siç thotë vetë tekniku shkodran për fshf.org, pandemia ndikon për të krijuar një ekip kombëtar solid për shkak të vështirësisë që kanë lojtarët nga jashtë për të ardhur në Shqipëri. 

“Para një muaji ne zhvilluam një seleksionim 3-ditor, në përgjithësi ishin lojtarë të vitlindjes 2002 dhe kjo me mendimin se do të zhvillohej një aktivitet europian në Çeki e kjo ishte arsyeja që ne e bëmë atë grumbullim shumë shpejt. Fatkeqësisht ai aktivitet i planifikuar nuk u zhvillua dhe po fatkeqësisht brezi i vitit 2002 pothuajse digjet, pra është e pamundur të marrë pjesë në aktivitete. Kështu që duke parë nga e ardhmja do të fokusohemi më shumë te vitlindja 2004 dhe ndonjë element i brezit të 2004-s. Kjo është hera e parë që ne i japim mundësi, gjithmonë duke u fokusuar tek ekipet e Kategorisë Superiore në kampionatin shqiptar dhe duke u fokusuar te lojtarët e lindur në vitin 2003. Konkretisht sot është grupi B, nëse mund ta quaj kështu grupin e jugut, dhe javën tjetër do të seleksionojmë edhe grupin A, grupin e veriut, vetëm brezin e 2003-shit për momentin dhe do të kemi një pasqyrë më të qartë sa i përket potencialeve që ka ky brez. Pastaj do të merremi me të njëjtin sistem edhe me brezin e lojtarëve të lindur në vitin 2004. Them se krijojmë në një farë mënyre një ekip kombëtar me lojtarë që aktivizohen në kampionatin shqiptar. 

Nuk mund të pretendoj për një muaj që të kem mundësinë dhe shansin për të parë të gjithë lojtarët që luajnë në Kategorinë Superiore. Kam parë pjesën më të madhe të lojtarëve që aktivizohen në pjesën e veriut, sikurse edhe kolegu im është përpjekur të vëzhgojë pjesën e jugut. Kjo është edhe një ftesë që i kemi bërë të gjitha ekipeve të Superiores, duke respektuar edhe trajnerët, kubet dhe institucionet e tyre për të punuar dhe për të adresuar lojtarët që janë më të mirë, më seriozë dhe më kualitativ në ekipet e tyre. Kjo është edhe arsyeja për t’i parë, vëzhguar dhe për të përzgjedhur elementët që janë më të nevojshëm për ekipin kombëtar.

Pandemia ka ndikuar më shumë për të krijuar një ekip kombëtar solid, me lojtarët më të mirë të mundshëm. Lojtarët që aktivizohen jashtë e kanë thuajse të pamundur për të ardhur në Shqipëri, jo vetëm për vështirësinë që paraqet Shqipëria që është futur në zonën e kuqe, por edhe sepse në pjesën dërrmues të vendeve ku ata jetojnë kanë edhe një karantinë dyjavore të detyrueshme. Duke patur parasysh, që janë lojtarë të klubeve cilësore në Europë, është shumë e vështirë që ta lënë lojtarin të grumbullohet për një ndeshje miqësore apo qoftë për një grumbullim 2-ditor për të mos thënë e pamundur për momentin. Kjo është keqardhja ime më e madhe, por duhet t’i përshtatemi kushteve.

I qëndroj bindje se futbolli shqiptar ka lojtarë të cilët kanë vlera, duhen evidentuar dhe duhet t’u jepet mundësia për të zbritur në fushën e lojës dhe të tregojnë se e meritojnë fanellën e Kombëtares. Unë e shikojë me shumë kënaqësi dhe do t’i jap rëndësinë e duhur. Patjetër, lojtarët që aktivizohen në klube të huaja duhet të vijnë dhe duhet të tregojnë diferencë me lojtarët e Kategorisë Superiore. Në të kundërt, nëse nuk ka diferencë atëherë patjetër që do të preferohen lojtarë të cilët i shohim çdo ditë, i ndjekim çdo ditë dhe mund t’i vlerësojmë më mirë çdo ditë”, u shpreh Cungu.


Shpërndaje

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Translate »