Real Madrid e nis me këmbën e mbarë 2020-n, mposht bindshëm Getafen në transfertë

Real Madrid e ka nisur mbarë 2020-n, duke siguruar një fitore të rëndësishme ndaj Getafes. Madrilenët fituan bindshëm në transfertë me rezultatin 0-3, duke u ngjitur përkohësisht në krye të renditjes së La Liga-s, me një pikë më tepër se rivali i tyre i përjetshëm, Barcelona.

Autogoli i David Soria, golat e Varane dhe Modric i dhanë tre pikë të arta skuadrës së drejtuar nga Zinedine Zidane. Madrilenët vinin në këtë ndeshje pas tre barazimesh rradhazi në kampionatin spanjoll.

Ndërkohë me interes të lartë pritet edhe ndeshja e mbrëmjes, derbi katalanas Espanyol-Barcelona, i cili do të luhet duke nisur nga ora 21:00.